Ferati-Ibrahim: Bashkëpunim më i madh me OJQ-të, për një shoqëri gjithëpërfshirëse

Ministri Agon Ferati zhvilloi një takim me kryetarin e Matusiteb-it, Tahsin Ibrahim, ku në fokus të diskutimeve ishte përfaqësimi i komunitetit turk në institucionet shtetërore dhe nevoja për avancimin e pozitës së tij në jetën institucionale.

Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me organizatat joqeveritare turke, me qëllim të koordinimit më të mirë të aktiviteteve dhe realizimit të projekteve me interes të përbashkët.

Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua koordinimit të aktiviteteve për shënimin e 21 Dhjetorit – Ditës së Mësimit në Gjuhën Turke, si dhe rëndësisë së përfshirjes aktive të komunitetit në jetën shoqërore. Të dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e avancimit të inkluzionit social, forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe bashkësive, si dhe ndërtimit të kohezionit shoqëror, duke kontribuar në një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më të bashkuar.