Departamenti për Kontroll të Brendshëm pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) kundër A.A., i punësuar në Departamentin për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të Caktuara pranë MPB-së, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve.
Sipas kallëzimit, i punësuari në dy raste gjatë këtij viti, më 3 mars dhe më 9 korrik, ka përpiluar dhe përdorur vërtetime të falsifikuara për dhurim gjaku, ndonëse nuk kishte dhuruar fare gjak në Institutin e Mjekësisë Transfuzive, në kompleksin e klinikave “Nëna Terezë” në Shkup.
Në bazë të vërtetimeve të falsifikuara, ai ka përpiluar edhe dy kërkesa për shfrytëzimin e tri ditëve të pushimit të paguar, për datat 3, 4 dhe 5 mars, si dhe 9, 10 dhe 13 korrik, të cilat më pas i ka shfrytëzuar.
“Departamenti për Kontroll të Brendshëm do të paraqesë propozim për nisjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë ndaj A.A. për shkelje të rendit të punës dhe disiplinës”, njoftuan nga MPB-ja.


