Trump: Tajvani zotohet për blerjen e LNG-së nga Alaska me vlerë deri në 80 miliardë dollarë

Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se Tajvani ka marrë përsipër të blejë gaz natyror të lëngshëm (LNG) me vlerë prej 70 deri në 80 miliardë dollarësh nga projekti Alaska LNG dhe ka rënë dakord të investojë 4,4 miliardë dollarë në kapitalin e projektit, transmeton Anadolu.

“Gjithashtu, sot po njoftoj se sekretari im i Tregtisë, Howard Lutnick, ka siguruar një zotim nga Tajvani për blerjen e LNG-së me vlerë prej 70 deri në 80 miliardë dollarësh nga projekti Alaska LNG”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Ai tha se zotimi mbulon 30 për qind të kapacitetit të gazsjellësit për 20 vitet e ardhshme, duke e cilësuar atë si “marrëveshjen më të madhe të blerjes së këtij lloji në histori”.

Trump tha se Tajvani gjithashtu ka rënë dakord të investojë 4,4 miliardë dollarë në kapitalin e projektit, “sepse ky tani është një projekt i Qeverisë Federale të SHBA-së, me të gjitha lejet e nevojshme të siguruara, të gjitha autorizimet e nevojshme të dhëna dhe gati për t’u vënë në zbatim”.