Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se i kishte kërkuar ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, të jepte dorëheqje, pas një sërë raportimesh mediatike që ngritën shqetësime se ajo kishte shitur qasje te zyrtarët e administratës Trump në këmbim të parave, dhuratave dhe favoreve, raporton Reuters.
Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte deklaruar të hënën se po shqyrtonte mundësinë e shkarkimit të Guilfoyle, e cila më parë kishte qenë e fejuar me djalin e tij, Donald Trump Jr. Të martën, ai u tha gazetarëve: “Ajo po bënte një punë të mirë, por nuk na pëlqyen ato që po lexonim”.
Ligjvënësit amerikanë kishin ngritur shqetësime pas një sërë artikujsh të publikuar nga Wall Street Journal, duke filluar nga muaji i kaluar, të cilët përshkruanin sjelljen e Guilfoyle. Mes tjerash, në raportime pretendohej se ajo kishte kërcënuar se do të përdorte ndikimin e SHBA-së për të minuar qeverinë greke.
Zëdhënësja e re e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, konfirmoi se Guilfoyle i ishte kërkuar të jepte dorëheqje, duke deklaruar në një konferencë për media: “Ajo ka qenë një aset i shkëlqyer për ekipin dhe i dëshirojmë suksese”.
Në një postim në rrjetin social X, Guilfoyle përsëriti mohimin e çdo shkeljeje dhe tha se mirënjohja dhe respekti i saj për Trumpin dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, mbeten “të palëkundura”.
“Edhe pse koha ime si ambasadore mund të jetë drejt fundit, përkushtimi im ndaj presidentit Trump, lëvizjes ‘America First’ dhe vendit që e dua nuk do të përfundojë kurrë”, shkroi ajo. “Këto akuza janë të pavërteta dhe kam ndërmend ta mbroj fuqishëm emrin, reputacionin dhe integritetin tim”.
Njëri nga artikujt e publikuar nga Wall Street Journal përshkruante marrëdhënien e afërt të Guilfoyle me një lobist të një kompanie greke të energjisë dhe promovimin e kësaj kompanie nga ana e saj. Një tjetër artikull përmendte regjistrime audio në të cilat Guilfoyle mburrej për lidhjet e saj me biznesmenë të pasur grekë, ndërsa kërkonte një ftesë për një darkë në Davos, të organizuar për nder të Eric Trump, njërit prej djemve të presidentit amerikan.
Biznesmeni amerikan Eric Deters i tha gjithashtu gazetës se Guilfoyle, ish-prokurore në San Francisko, i kishte ofruar qasje te zyrtarët e administratës Trump në këmbim të parave. Në një rast, sipas tij, ajo i kishte kërkuar t’ia paguante një faturë të kartës së kreditit në vlerë prej 100 mijë dollarësh.
Ndërkohë, gazeta britanike Daily Mail raportoi javën e kaluar se mbikëqyrësi i brendshëm i Departamentit amerikan të Shtetit po shqyrtonte ankesat e punonjësve të ambasadës në Athinë për sjellje të papërshtatshme.


