Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar pas deklarimit të deputetit të Vetëvendosjes, Fatos Geci, se është ankuar në polici ndaj tij.
Në një postim në “Facebook”, Mehmetaj ka theksuar se Geci ka dërguar familjarë në zyrën e tij, duke vënë në pikëpyetje pretendimin e deputetit se problemet duhet të zgjidhen përmes rrugëve institucionale.
Sipas Mehmetajt, Geci i është drejtuar policisë vetëm pasi rasti ka marrë përmasa publike.
“Përndryshe, nuk mund ta dërgosh askënd në polici për opinione. Në shtete demokratike të paktën jo. Njëjtë siç nuk mund ta dërgojë askush Fatos Gecin në polici për atë që ka thënë ai”, ka shkruar Mehmetaj.
Gazetari ka shtuar se, nëse deputeti konsideron se në postimin e tij ka elemente të shpifjes apo fyerjes, mund t’i drejtohet gjykatës.
“Nëse ai beson se ka elemente të shpifjes, apo fyerjes në postimin tim, mund të më paditë për shpifje e fyerje dhe ballafaqohemi në gjykatë”, ka deklaruar ai.
Në fund, Mehmetaj ka theksuar se nuk do të lejojë rikthimin e një kohe kur njerëzit, sipas tij, dërgoheshin në burg për opinionet e tyre.


