Policia e Kosovës ka njoftuar se janë gjetur mbetje eshtërore në zonën e Mitrovicës, të cilat dyshohet se i përkasin një viktime/mashkull nga lufta e fundit në Kosovë.
Sipas njoftimit, ekzekutimi i urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Gjatë gërmimeve në varrezat e fshatit Shipol, autoritetet kompetente kanë hasur në mbetjet eshtërore, të cilat pas tërheqjes nga vendngjarja janë dërguar në IML për autopsi dhe procedurat e nevojshme të identifikimit përmes ADN-së.Ndryshe, në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë civilë dhe mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa shteti serb refuzon të kërkojë falje, madje mbron kriminelët që sot e kësaj dite shëtisin të lirë apo mbajnë poste të larta në Serbi.


