Sulmi rus me raketa balistike në Kiev/ 2 të vdekur dhe 21 të plagosur, goditet termocentrali

Një sulm rus me raketa balistike goditi një termocentral dhe një pallat banimi në Kiev të martën në mbrëmje, duke shkaktuar dy viktima dhe 21 të plagosur, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.

Në një postim në platformën X, Zelensky bëri të ditur se objektivi kryesor ishte termocentrali CHPP-4, një prej impianteve të rëndësishme të prodhimit të energjisë në kryeqytetin ukrainas.

“Sulm me raketa balistike ruse kundër Kievit. Edhe një herë, asnjë paralajmërim nga partnerët tanë. Objektivi kryesor ishte një infrastrukturë energjetike, konkretisht stacioni CHPP-4. Fatkeqësisht, u godit”, shkroi presidenti ukrainas.

Ai theksoi se sistemet ukrainase të mbrojtjes zbuluan raketat ruse teksa ato po i afroheshin kryeqytetit, duke ngritur shqetësime për mungesën e informacionit paraprak nga aleatët perëndimorë.

“Jo vetëm që po shkatërrojnë infrastrukturën tonë energjetike, por Ukraina as nuk merr paralajmërime për lëshimin e raketave balistike”, u shpreh Zelensky.

Përveç termocentralit, raketat goditën edhe një pallat banimi, i cili u përfshi nga flakët. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi se nga sulmi humbën jetën dy persona dhe u plagosën 21 të tjerë, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.

Ndërkohë, në Kiev janë shtuar shqetësimet për vazhdimësinë e mbështetjes së inteligjencës nga aleatët perëndimorë, veçanërisht nga agjencitë amerikane. Ukraina mbështetet në këtë informacion për të marrë paralajmërime të hershme për sulmet ruse, por edhe për planifikimin e operacioneve të saj kundër objektivave në territorin rus.

Përkeqësimi i marrëdhënieve mes Zelensky-t dhe presidentit amerikan Donald Trump ka rritur shqetësimet në kryeqytetin ukrainas se kjo mbështetje mund të kufizohet, duke ndikuar në aftësinë e vendit për t’u përgatitur ndaj sulmeve të reja.