“Nuk ka humbje jete dhe të intubuar”- Disa të plagosur në protestën e dhunshme, flet shefi i Traumës: I riu me këmbën e dëmtuar, në gjendje stabël…

Disa qytetarë kanë përfunduar me lëndime nga protesta e sotme, ndërsa po mjekohen te spitali i Traumës.

Në një deklaratë për mediat, mjeku i Traumës ka deklaruar se gjendja me e rënduar është e 19-vjeçarit që i është thyer këmba.

“Mos përhapni panik, nuk ka as viktima dhe as të intubuar. Gjendja më e rëndë ishte ajo e pacientit të fundit që erdhi me trauma në këmbë”, tha ai mes të tjerash.

Agustin Suma, shefi i Urgjencës në Spitalin e Traumës, konfirmoi disa herë se nuk ka asnjë pacient të intubuar apo humbje jete.

“Gjatë pasdites së sotme në Spitalin e Traumës janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore protestues, efektivë, kalimtarë. Dëmtimi më i rëndë është një frakturë e kërcirit të djathtë që do të trajtohet sipas procedurës. Ritheksoj që nuk ka asnjë pacient të intubuar dhe asnjë humbje jete”, tha Suma.

I riu ka mbërritur në gjendje stabël në spital. Nga ana e 127 është bërë imobilizimi në terren. Tek ne ka ardhur në gjendje të stabilizuar. Djali është në gjendje të stabilizuar. Ndihma e parë është dhënë nga ekipi ortoped dhe djali po plotësohet me të gjitha ekzaminimet e tjera dhe është për ndihmë në ortopedi”, vijoi shefi i Urgjencës.

Përfaqësuesi i trupit diplomatik austriak ka mbërritur nga QSUT te Trauma dhe pasi ka marrë mjekimin, ka shkuar në shtëpi.

“Përfaqësuesi i trupit diplomatik austriak ka ardhur nga QSUT, kishte disa dëmtime në kokë, është përcjellë me mjekim në shtëpi”, tha mjeku.

Në total, te Trauma janë trajtuar 7 policë, ndërsa momentalisht po trajtohen 3 raste.