Disfata nga Atletico në Champions, mbrojtësi i Manchester United “shpërthen” ndaj drejtuesve: Nuk do ta mbaj më gojën mbyllur

Lisandro Martinez ka dalë sërish kundër drejtuesve të Manchester United, duke ngritur zërin për mungesën e ambicies dhe problemet në ndërtimin e skuadrës.

Fillimisht, Martinez bëri bujë me deklaratat e tij për Prime Video, ku kërkoi më shumë investime dhe kritikoi drejtpërdrejt drejtorin teknik Jason Wilcox.

“Pres më shumë investime. Njëqind për qind. Pres më shumë nga drejtori ynë teknik. Nuk mund të vazhdosh të ndryshosh trajnerin, ta ndryshosh sërish e sërish. Po pjesët e tjera të klubit? Nuk mund të them më shumë”, ishte deklarata e fortë e Martinezit pas humbjes në Madrid.

Në intervistën me Schmeichel, mbrojtësi argjentinas u ndal edhe te problemet që shfaq skuadra në fushën e lojës, duke kritikuar gjuhën e trupit të futbollistëve, rastet e humbura dhe mungesën e qëndrueshmërisë në ndeshjet e rëndësishme.

“Nuk po luajmë mirë si skuadër. Gjuha e trupit, humbasim tre ose katër raste dhe bëhemi negativë. Kur luan kundër këtyre ekipeve, sidomos në Champions League, nuk mund të shpërdorosh raste dhe nuk mund të pësosh gol që në minutën e parë”, u shpreh Martinez.

Argjentinasi pranoi se Manchester United ka lojtarë me potencial, por sipas tij, skuadra nuk ka të njëjtin nivel me rivalët e tjerë të mëdhenj të futbollit europian.

“Ne kemi shumë ndeshje dhe duhet të bëjmë rotacion me lojtarët. Për mua, nuk kemi skuadrën më të mirë në krahasim me ekipet e tjera të mëdha. Mundohem të jem pozitiv dhe i sinqertë. Duhet të ndryshojmë dhe të bëjmë më shumë, sepse mendoj se jemi të aftë të jemi më të mirë. Ne i kemi lojtarët”, deklaroi mbrojtësi.

Megjithatë, mesazhi i tij kryesor ishte drejtuar te vetë klubi dhe ambiciet që duhet të ketë Manchester United.

“Kur shikon ndeshjet në televizor, sheh lojtarët dhe trajnerin dhe drejton gishtin nga ata. Dhe kjo është e drejtë, ne marrim përgjegjësinë. Por edhe si klub pres më shumë. Pres më shumë. Nuk do ta mbyll gojën”, theksoi ai.

Martinez kërkoi që Manchester United të flasë hapur për objektivat madhorë, duke mos u mjaftuar vetëm me pjesëmarrjen në garat më të rëndësishme.

“Na duhet më shumë ambicie. Duhet të flasim më shumë për fitimin e Champions League dhe Premier League. Nëse nuk themi të vërtetën, asgjë nuk do të ndryshojë”, përfundoi argjentinasi.Deklaratat e mbrojtësit nuk kanë kaluar pa reagime. Legjenda e Manchester United, Wayne Rooney, kritikoi mënyrën se si Martinez zgjodhi të shprehej publikisht, duke vlerësuar se fjalët e tij mund të dëmtojnë marrëdhëniet brenda skuadrës.

“Është mungesë respekti ndaj shokëve të skuadrës të thuash se ata nuk janë mjaftueshëm të mirë. Mendoj se vetëm Bruno Fernandes, si kapiten, ka të drejtë të dalë dhe të thotë diçka të tillë. Por këto gjëra duhet të mbeten brenda klubit. Ajo intervistë nuk do të ndihmojë”, u shpreh Rooney.

Nga ana tjetër, trajneri Michael Carrick nuk dëshiroi të përfshihej në polemika, duke pranuar se futbollistët mund të reagojnë emocionalisht pas një rezultati zhgënjyes.

Ndërkohë, Martinez nuk ishte i vetmi lojtar i United që reagoi ashpër pas disfatës në Madrid. Amad Diallo shprehu pakënaqësinë e tij përmes një postimi në Snapchat, ku shkroi: “Një turp i vërtetë, nuk kam fjalë”.

Kritikat e Martinezit vijnë në një moment delikat për Manchester United, i cili ka investuar gjatë merkatos së verës, duke afruar tre mesfushorë dhe një portier rezervë. Megjithatë, sipas raportimeve, përforcimet e reja nuk kanë arritur ende të japin ndikimin e pritur.

Youri Tielemans, Andrey Santos dhe Carlos Baleba ishin titullarë në ndeshjen ndaj Atletico Madridit, por skuadra angleze nuk arriti të shmangte humbjen. Për më tepër, mungesa e alternativave të mjaftueshme në disa pozicione, përfshirë krahun e majtë të mbrojtjes dhe repartin ofensiv, ka shtuar diskutimet për mënyrën se si është ndërtuar skuadra.

Humbja ndaj Atletico Madridit e ka çuar Manchester United në pesë ndeshje radhazi pa fitore, duke rritur presionin mbi Carrick dhe lojtarët e tij.

Tashmë, “Djajtë e Kuq” duhet të reagojnë në sfidat e ardhshme, ndërsa përplasja publike e Martinezit me drejtuesit tregon se problemet në “Old Trafford” nuk lidhen vetëm me rezultatet në fushë, por edhe me pritshmëritë për drejtimin dhe ambiciet e klubit.