Trump: Ukraina duhet të bëjë më shumë për të arritur një marrëveshje me Rusinë

Presidenti amerikan Donald Trump nuk ka treguar gatishmëri për të ushtruar presion më të madh ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, pavarësisht kritikave ndaj qasjes së tij të fundit.
Përkundrazi, ai ka lënë të kuptohet se Ukraina duhet të bëjë më shumë për të arritur një marrëveshje.
I pyetur nga një gazetar për sulmet ruse ndaj objekteve energjetike, pavarësisht armëpushimit që kishte shpallur vetë, Trump u përgjig ”do të më duhet ta shqyrtoj dhe të shoh, sepse ka pasur shkelje nga të dyja palët”.

Kur u pyet se si synonte ta bindte presidentin rus Vladimir Putin të respektonte armëpushimin, Trump deklaroi se, sipas tij, Putini dëshiron të arrijë një marrëveshje dhe se duhet bindur edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky që të dëshirojë një marrëveshje të tillë.

I pyetur më tej se përse besonte se Putini ishte i interesuar për një marrëveshje, ndërkohë që sulmet ndaj Ukrainës vazhdonin, Trump shmangu sërish kritikat ndaj Kremlinit.

“Mendoj se do të arrijnë një marrëveshje. Në fakt, mendoj se Putini dëshiron një marrëveshje më shumë se Zelensky”, tha ai.