Sekuestrohen lëndë narkotike në pikën kufitare të Tabanocit, arrestohet një shtetas gjerman
Një shtetas gjerman është ndaluar në pikën kufitare të Tabanocit, pasi gjatë kontrolleve të kryera nga autoritetet doganore janë zbuluar disa lloje të substancave narkotike dhe psikotrope.
Automjeti në të cilin udhëtonte shtetasi gjerman me bashkëshortin e tij është ndaluar për kontroll nga nëpunësit doganor në pikën kufitare të Tabanocit. Gjatë kontrollit, janë zbuluar disa lloje substancash të dyshimta, mes tyre lëndë me ngjyrë të gjelbër dhe të verdhë, substance narkotike në formë karamelesh, si dhe mjete për bluarjen dhe matjen e saktë të tyre.
Kontrolli personal i të dyshuarit ka çuar në zbulimin e sasive të tjera të substancave të dyshimta, përfshirë një material të bardhë në formë pluhuri, një substancë në formë xheli dhe tableta me ngjyra të ndryshme.
Pas analizave laboratorike, është konfirmuar prania e hashashit, amfetaminës, MDMA-së dhe tetrahidrokanabinolit (THC). Rasti është dokumentuar edhe përmes pamjeve të kamerave të trupit të zyrtarëve doganorë, të siguruara si donacion nga Ministria e Drejtësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I dyshuari është ndaluar nga inspektorët e Njësisë së Hetimeve, ndërsa pas veprimeve të ndërmarra nën drejtimin e prokurorit publik, ndaj tij është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Kumanovë, për veprën penale që lidhet me prodhimin dhe shpërndarjen e paautorizuar të lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve.
Rasti është në procedurë pranë organeve kompetente, të cilat do të vazhdojnë veprimet e mëtejshme ligjore.


