Gjatë aksionit janë kontrolluar dhe janë dërguar në kontroll të jashtëzakonshëm teknik gjithsej 29 autobusë dhe automjete të tjera për transport publik, prej të cilëve 18 në territorin e Tetovës dhe 11 në territorin e Gostivarit
– Papërgjegjëshmëria e pjesëmarrësve në komunikacion vazhdon të mbetet e lartë. Kësaj radhe dukshëm janë shtuar edhe rastet kur automjetet e transportit publik gjatë kontrolleve policore rezultojnë se kanë defekte. Sipas policisë, nuk bëhet fjalë për parregullsi të vogla, por defektet e autobusëve janë të shumta, në ndërkohë me këto automjete zhvillohet transporti i udhëtarëve. Së fundmi, një kontroll i kohëve të fundit i pjesëtarëve të SPB-Tetovë, i fokusuar të automjetet dhe drejtuesit që kryejnë transport publik të udhëtarëve në rajonin e Pollogut, ka evidentuar një numër të madh parregullsive, duke ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e udhëtarëve.
Gjatë aksionit janë kontrolluar dhe janë dërguar në kontroll të jashtëzakonshëm teknik gjithsej 29 autobusë dhe automjete të tjera për transport publik, prej të cilëve 18 në territorin e Tetovës dhe 11 në territorin e Gostivarit. “Nga kontrolli është konstatuar se 17 automjete kanë qenë teknikisht të parregullta, përkatësisht gjashtë në zonën e Tetovës dhe 11 në zonën e Gostivarit. Dy automjete nga rajoni i Gostivarit nuk janë paraqitur fare në kontrollin teknik të jashtëzakonshëm edhe pse iu është urdhëruar një gjë e tillë. Gjithashtu në Gostivar janë evidentuar edhe dy raste të transportit publik të udhëtarëve pa certifikatë përkatëse mjekësore”, thotë zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Sipas Rexhepit, gjatë aksionit janë konstatuar edhe 21 shkelje të tjera, prej të cilave 13 në Tetovë dhe tetë në Gostivar. Për të gjitha shkeljet janë shqiptuar masat përkatëse ligjore. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë u bëhet thirrje të gjithë subjekteve juridike që kryejnë transport publik si dhe drejtuesve të automjeteve që të tregojnë përgjegjësi dhe profesionalizëm maksimal gjatë kryerjes së veprimtarisë. “Vija e bardhë në rrugë është kufiri mes jetës dhe tragjedisë, ndërsa çdo udhëtar që hyn në automjetet e transportit publik ia beson sigurinë e tij drejtuesit. Arsyetimi vetëm këtë herë apo neglizhimi i defekteve teknike dhe gjendjes shëndetësore mund të ketë pasoja të pakthyeshme”, tha zëdhënësi Rexhepi.
Ekspertë të komunikacionit thonë se, shpesh herë krahas parregullsive teknike të këtyre automjeteve, ka edhe vozitës të pandërgjegjshëm që drejtojnë autobus me shpejtësi më të madhe se ajo e lejuara ndërsa në autobus ka me dhjetëra udhëtarë. Sipas ekspertëve, pikërisht automjetet e transportit publik duhet të jenë gjithmonë të rregullt në aspektin teknik për shkak se kanë numër të madh të udhëtarëve, duke mos harruar siç thonë ekspertët, se në autobus ka edhe nxënës të cilët vazhdimisht e shfrytëzojnë këtë lloj transporti, prandaj edhe kontrollet ndaj këtyre automjeteve duhet të jenë më të rrepta dhe nuk duhet që të jetë tolerancë. Nga SPB-Tetovë njoftojnë se kontrollet do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim me qëllim rritjen e sigurisë dhe ruajtjen e gjendjes së qëndrueshme të sigurisë në komunikacion.


