Kasami: Korridori 8, arteria që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë dhe Evropën

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka vlerësuar rëndësinë strategjike të Korridorit 8, duke theksuar se ky projekt do të sjellë zhvillim ekonomik, investime të reja dhe lidhje më të fuqishme rajonale.

Kasami ka theksuar se çdo hap drejt realizimit të Korridorit 8 përbën një avancim të rëndësishëm për ekonominë dhe të ardhmen e vendit, duke krijuar mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset.

“Nisja e punimeve në segmentin Bukojçan–Kërçovë i jep një shtysë të rëndësishme këtij projekti strategjik. Së bashku me segmentet Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Bukojçan, ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e Pollogut, duke përmirësuar lidhjen e tij me pjesët e tjera të vendit dhe me rajonin”, ka thënë Kasami.

Sipas tij, Korridori 8 nuk përfaqëson vetëm një projekt infrastrukture, por një lidhje strategjike mes njerëzve, ekonomive dhe vendeve të rajonit. Ai është një investim në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut, në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe në krijimin e një rajoni më të zhvilluar e më të ndërlidhur.

Realizimi i këtij korridori strategjik, njëherësh synon të forcojë pozicionin e vendit në rrjetet rajonale të transportit, të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe të krijojë kushte më të favorshme për investime e zhvillim ekonomik.