Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot zhvilloi një vizitë pune në Beograd, ku u takua me ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Serbisë, dr. Zlatibor Lonçar, si dhe vizitoi Qendrën Klinike Universitare të Serbisë.
Në fillim të takimit me ministrin Lonçar, Klekovski falënderoi Serbinë për ndihmën e ofruar që në orët e para pas tragjedisë në Koçan. Të dy ministrat diskutuan për vazhdimin e trajtimit të të lënduarve nga Koçani në institucionet shëndetësore serbe, në përputhje me nismën e mëparshme.
Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi me institucionet referente në Serbi për ofrimin e kujdesit shëndetësor të specializuar, si dhe forcimi i kapaciteteve në Maqedoninë e Veriut.
Bashkëpunimi parashikon:
Dërgimin e pacientëve për trajtim dhe ndihmë të specializuar për rastet komplekse.
Sigurimin e mendimit të dytë dhe konsultimeve profesionale përmes ekipeve të përbashkëta mjekësore.
Partneritete ndërmjet qendrave referente në Serbi dhe klinikave në Maqedoni, përmes trajnimeve praktike, qëndrimeve profesionale dhe mentorimit të ekipeve klinike.
Ministrat diskutuan edhe për digjitalizimin dhe ndërveprimin e sistemeve informative shëndetësore, me integrimin e të dhënave nga sektori publik dhe ai privat. Serbia përdor gjithashtu sistemin „Termini Im“, i zhvilluar në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë vizitës në Qendrën Klinike Universitare të Serbisë, institucioni më i madh shëndetësor në këtë vend, ministri Klekovski u takua me ushtruesen e detyrës së drejtoreshës, prof. dr. Jelena Drulloviq.
Në takim u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UKCS-së dhe klinikave universitare në Shkup, referimi i pacientëve me gjendje komplekse shëndetësore, konsultimet e përbashkëta profesionale dhe trajnimet për ekipet klinike nga Maqedonia e Veriut.
Gjithashtu, u diskutuan çështje organizative, pas së cilës ministri vizitoi Klinikën e Neurologjisë, me fokus te trajtimi i pacientëve me goditje në tru, si dhe Qendrën për Sklerozë Multiple.
„Qëllimi nuk është që pacientët tanë të udhëtojnë më larg, por që njohuritë profesionale të vijnë më afër. Ajo që sot, për rastet komplekse, e kërkojmë jashtë vendit, nesër duhet ta kemi këtu, përmes ekipeve të përbashkëta, trajnimeve dhe mentorimit“, deklaroi ministri Klekovski.
Gjatë vizitës, ministri Klekovski shoqërohej nga ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Serbi, Nikola Tupançevski.



