Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, në një konferencë për media ka bërë të ditur se gjashtë pjesëtarë të policisë janë suspenduar pas dhunës brutalitetit të ushtruar ndaj dy të rinjve nga Saraji.
Iseni theksoi se institucionet kanë reaguar në kohë rekord dhe se ndaj zyrtarëve policorë tashmë kanë nisur procedurat disiplinore, ndërsa rastin po e udhëheq më tej Prokuroria.
Ai nëvizoi se dhuna policore nuk ka vend në shoqëri dhe se uniforma shërben për mbrojtjen e qytetarëve, pa asnjë arsyetim për keqtrajtim. Ndërkohë, duke iu përgjigjur kërkesave të opozitës shqiptare dhe veçanërisht BDI-së për dorëheqjen e tij, Iseni akuzoi ata për përpjekje për ta kthyer ngjarjen në një betejë politike me ngjyrime etnike.
Zëvendësministri rikujtoi 20 vitet e BDI-së në pushtet, duke përmendur rastet si “Sopoti”, “Monstra”, vdekjen e Rexhail Qerimit, vrasjet e Harun Aliut e Xhemail Rexhepit (Komandant Shqiponjës), si dhe djegien e dyqaneve të shqiptarëve, për të cilat tha se BDI heshti. Iseni përmbylli se koha e rasteve të montuara, hajdutërive dhe skenarëve politikë ka marrë fund një herë e përgjithmonë me kalimin e BDI-së në opozitë.


