Përmbytjet godasin sërish Nepalin, uji rrëmben dhjetëra shtëpi, pesë persona rezultojnë të zhdukur

Përmbytje kanë goditur Nepalin qendror të dielën, duke rrëmbyer dhjetëra shtëpi dhe duke lënë të paktën pesë persona të zhdukur. Ekipet e shpëtimit janë angazhuar në operacionet për gjetjen e personave të humbur dhe evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara.

Sipas autoriteteve, rreth 45 shtëpi janë rrëmbyer nga ujërat, ndërsa janë dëmtuar edhe tri projekte hidroelektrike dhe katër ura. Pamjet e publikuara në internet tregojnë një lumë të rrëmbyeshëm, të mbushur me baltë dhe mbeturina, që kalon mes kodrave në distriktin Gorkha.

Shefi i agjencisë kombëtare të fatkeqësive natyrore, Dharam Raj Uprety, tha se përmbytja u shkaktua pasi një rrëshqitje dheu kishte bllokuar rrjedhën e lumit, i cili më pas shpërtheu me forcë.

Sipas autoriteteve, të paktën 82 persona, përfshirë nëntë shtetas të huaj, janë shpëtuar nga zonat e prekura. Për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit dhe evakuimit janë angazhuar katër helikopterë.

Ndërkohë, nieli i ujit në lumin Budhi Gandaki ka vijuar të rritet. Autoritetet u kishin bërë më herët thirrje banorëve që të largoheshin nga brigjet e lumit dhe të zhvendoseshin në zona më të sigurta.

Fatkeqësia e fundit vjen në një kohë kur Nepali po përpiqet të rikuperohet nga përmbytjet shkatërruese të javëve të mëparshme. Sipas materialit të publikuar, përmbytjet e lidhura me shembjen e akullnajave malore më 26 gusht shkaktuan mbi 1,400 viktima dhe lanë më shumë se 5,000 persona të zhdukur.