Aeroporti fantazmë i Athinës transformohet në resort gjigant bregdetar

Një nga zonat më të mëdha të braktisura të Athinës po merr një pamje krejtësisht të re. Ish-aeroporti Ellinikon po transformohet në një lagje moderne bregdetare, me një investim prej rreth 8 miliardë eurosh, ndërsa pjesët e para të mëdha pritet të hapen gjatë vitit 2027.

Një nga zonat më të mëdha të braktisura të Athinës po merr një pamje krejtësisht të re. Ish-aeroporti Ellinikon po transformohet në një lagje moderne bregdetare, me një investim prej rreth 8 miliardë eurosh, ndërsa pjesët e para të mëdha pritet të hapen gjatë vitit 2027.

Aeroporti, i hapur në vitin 1938, u mbyll në vitin 2001. Pas përdorimit gjatë Lojërave Olimpike të vitit 2004 dhe për strehimin e më shumë se 3,500 refugjatëve në vitin 2016, pjesa më e madhe e territorit mbeti e pashfrytëzuar.

Tashmë aty po ndërtohet projekti “The Ellinikon”. Në korrik është hapur Ellinikon Sports Park, ndërsa në fillim të vitit 2027 parashikohet hapja e parkut qendror prej rreth 200 hektarësh. Projekti i plotë pritet të zhvillohet gradualisht deri në vitin 2030.

Planet përfshijnë rreth dy milionë metra katrorë hapësira të gjelbra, marinë për jahte, hotele, restorante, dyqane, qendra shëndetësore dhe sportive, institucione kulturore e arsimore, si dhe rrugë për këmbësorë dhe biçikleta. Një plazh i gjatë përgjatë rivierës së Athinës do të jetë gjithashtu pjesë e kompleksit.

Një nga pikat kryesore do të jetë Riviera Tower, një kullë banimi afro 200 metra e lartë, me 50 kate dhe 169 apartamente. Pas përfundimit, ajo pritet të bëhet ndërtesa më e lartë në Greqi.

Zona është konceptuar si një “Smart City”, ku teknologjia do të përdoret për menaxhimin e ndriçimit, ujitjes, trafikut, energjisë dhe lidhjeve të internetit.

Sipas zhvilluesit Lamda Development, projekti pritet të krijojë rreth 85 mijë vende pune. Megjithatë, projekti ka sjellë edhe kritika, kryesisht për çmimet e pronave dhe ndërtimeve pranë vijës bregdetare.