Sofja i shton presionin Shkupit: Kur do t’i fusni bullgarët në Kushtetutë?

Bullgaria kërkon afat konkret nga Maqedonia e Veriut për ndryshimet kushtetuese dhe përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit evropian.

Gjatë takimit në Sofje me ministrin e Jashtëm Timço Mucunski, shefja e diplomacisë bullgare, Velislava Petrova, ka kërkuar të dijë se kur Shkupi planifikon t’i zbatojë obligimet e marrëveshjes evropiane të vitit 2022, përfshirë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Petrova ka përsëritur mbështetjen e Bullgarisë për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, por ka theksuar se përparimi drejt BE-së duhet të kushtëzohet me përmbushjen e detyrimeve të marra.

Në takim është diskutuar edhe rasti i Iva Mihajlovës, për të cilën Sofja kërkon mundësimin e trajtimit të nevojshëm mjekësor.

Dy ministrat janë pajtuar që komunikimi ndërmjet vendeve të vazhdojë edhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.