Opsionet që po diskutohen variojnë nga ndihma mbrojtëse për mbrojtjen e territorit saudit nga sulmet me raketa dhe dronë, deri te një përfshirje më direkte, me dërgimin e forcave siriane për të mbështetur trupat jemenase të lidhura me Riadin në luftimet kundër Houthive.
Sipas zyrtarit amerikan, Arabia Saudite i ka kërkuar Sirisë të dërgojë forca për të luftuar Houthit.
Nga ana e saj, Damasku ka sinjalizuar mbështetje politike për Riadin, por ka theksuar se prioriteti kryesor i qeverisë siriane mbetet rimëkëmbja e vendit pas 14 vitesh luftë civile.
Një diplomat sirian i tha Reuters se Siria “qëndron fuqishëm” në krah të Arabisë Saudite përballë sulmeve të Huthive, duke shtuar se çdo bashkëpunim ushtarak apo shkëmbim ekspertize do të zhvillohej vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe.
Sharaa diskutoi çështjen në Riad
Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa vizitoi Riadin të martën dhe u takua me princin e kurorës saudite Mohammed bin Salman.
Sipas zyrtarit amerikan, gjatë takimit është diskutuar edhe mundësia e ndihmës ushtarake siriane për Arabinë Saudite.
Vizita vjen në një moment kur Arabia Saudite po kërkon mbështetje nga partnerë të ndryshëm ndërkombëtarë për t’iu përgjigjur sulmeve të Huthive, të cilët mbështeten nga Irani.
Fushata ushtarake në Jemen po zhvillohet kryesisht përmes forcave të qeverisë jemenase, të mbështetura nga aviacioni saudit. Forcat aleate të Riadit kanë bërë përparime të kufizuara që prej nisjes së operacionit të ri të hënën.
Përfshirja siriane mund të tensionojë marrëdhëniet me Iranin
Për Damaskun, një ndërhyrje ushtarake në Jemen mbart rreziqe të konsiderueshme.
Ushtria e re siriane ende po konsolidohet nga grupet e ndryshme të armatosura që përbënin koalicionin rebel që rrëzoi regjimin e Bashar al-Assadit. Qeveria e re ka ndjekur një politikë të kujdesshme, duke shmangur përfshirjen në konfliktet rajonale dhe duke u fokusuar në rindërtimin e vendit.
Një përballje e drejtpërdrejtë me Huthit mund të ketë edhe pasoja sektare, ndërsa përfshirja e Sirisë në luftë do të mund të shihej nga Irani dhe aleatët e tij si një akt armiqësor.
Kjo do të mund të përkeqësonte marrëdhëniet e Damaskut me Hezbollahun në Liban dhe milicitë e lidhura me Iranin në Irak, me të cilat forcat që tani kontrollojnë Sirinë kanë një histori të gjatë konflikti.
Damasku më herët ka refuzuar edhe një kërkesë amerikane për të ndërmarrë veprime kundër Hezbollahut në Liban.
Arabia Saudite kërkon mbështetje
Në të njëjtën kohë, Sharaa ka interes të fortë politik për të treguar mbështetje ndaj Arabisë Saudite dhe Mohammed bin Salman.
Riad-i ka luajtur një rol të rëndësishëm në rikthimin e Sirisë në skenën ndërkombëtare dhe në forcimin e pozitës së Sharaa-s pas rrëzimit të Assadit. Arabia Saudite ka ofruar gjithashtu ndihmë financiare për Sirinë.
Për këtë arsye, një rol i kufizuar sirian mund të shërbente si një sinjal i fortë politik ndaj Riadit, pa e futur Damaskun në një luftë të re.
Eksperti H.A. Hellyer nga Royal United Services Institute tha se një skenar i mundshëm do të ishte dërgimi i një numri shumë të vogël personeli sirian për qëllime mbrojtëse, së bashku me mbështetje teknike për neutralizimin e dronëve.
Megjithatë, sipas tij, dërgimi i trupave siriane në terren për të marrë pjesë drejtpërdrejt në luftime do të ishte një çështje krejt tjetër dhe një hap që Damasku ka gjasa ta shmangë, duke pasur parasysh nevojën për t’u përqendruar te stabilizimi i Sirisë.
Nëse Damasku vendos të ndërhyjë, edhe në mënyrë të kufizuar, ky do të ishte një zhvillim i rëndësishëm në rreshtimin e ri gjeopolitik të Lindjes së Mesme pas rënies së regjimit të Assadit.


