Policia ka arrestuar një 43-vjeçar nga Glumova, pasi gjatë kontrolleve në shtëpinë e tij dhe në një objekt hotelierik në Saraj janë zbuluar armë, municion dhe vaj kanabisi.
M.M. (43) është privuar nga liria më 7 tetor, rreth orës 07:30, në një aksion të pjesëtarëve të Njësisë për Tregti të Paligjshme dhe Njësisë së Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup.
Kontrollet janë zhvilluar me urdhër të Gjykatës Themelore Penale në Shkup. Gjatë tyre janë sekuestruar një pistoletë e markës “Glock”, kalibër 9×19 mm, 88 fishekë të të njëjtit kalibër, një pushkë gjuetie dhe katër shiringa me vaj kanabisi.
43-vjeçari është mbajtur në stacion policor. Pas përfundimit të dokumentimit të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim përkatës.


