Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në cilësinë e patronit, mbajti fjalim në kremtimin e 25-vjetorit të ekzistencës dhe punës së SOS Fshatit të fëmijëve në Maqedoni, në Teatrin Kombëtar Maqedonas në Shkup.
Në fjalimin e saj, ajo u kujtoi të rriturve detyrimin e tyre për t’u kujdesur për fëmijët dhe për të qenë me ta dhe pranë tyre, duke mos i lënë vetëm kur janë në vështirësi dhe kur janë të lumtur.
“Shtëpia është një oazë e vogël paqeje, një strehë emocionale, komuniteti i parë në të cilin mësojmë mësimin më të rëndësishëm të jetës: se nuk jemi këtu rastësisht dhe se çdo fëmijë ka misionin e vet në jetë. Për shumë, shumë fëmijë dhe të rinj, SOS Fshati i fëmijëve ishte, është dhe do të jetë pikërisht një shtëpi e tillë”, theksoi Siljanovska-Davkova.
Duke parë punën 25-vjeçare të organizatës, ajo zbuloi suksese të dukshme në parandalimin, forcimin e familjeve dhe mbrojtjen e fëmijëve, si dhe rolin e prindërve kujdestarë, si më të afërtit me fëmijët.
Duke i inkurajuar ata të vazhdojnë misionin e tyre fisnik, Siljanovska-Davkova theksoi se fëmijët nuk do ta harrojnë kurrë fjalën e mirë, dorën e shtrirë dhe ngushëllimin e njerëzve të mirë.
SOS Fshati i fëmijëve është pjesë e rrjetit ndërkombëtar të SOS fshatrave të fëmijëve, dedikuar mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të fëmijëve, mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve pa kujdes prindëror dhe të atyre që janë në rrezik që ta humbin kujdesin nga prindërit e tyre.


