Aeroportet e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të thyejnë rekorde

Aeroporti Ndërkombëtar “Shkupi” dhe aeroporti “Shën Apostull Pali” në Ohër vazhdojnë të thyejnë rekorde. Në nëntë muajt e parë të vitit 2026, dy aeroportet e Maqedonisë së Veriut, të cilat menaxhohen nga TAV Maqedonia, kanë shërbyer gjithsej 3,3 milionë udhëtarë (3.331.685), që paraqet një rritje prej 29 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, informojnë nga TAV Maqedonia, degë e TAV Aeroporte, anëtare e grupit ADP.

Ndërkohë, siç thonë ata, numri i fluturimeve në periudhën nga janari deri në shtator arriti gjithsej në 22.147, që paraqet një rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

“Rezultatet e arritura në nëntë muajt e parë të vitit 2026 janë një konfirmim i fuqishëm i trendit pozitiv në aviacionin e Maqedonisë, ku numri i përgjithshëm i udhëtarëve arriti në 3,3 milionë, që paraqet një rritje vjetore prej 29 për qind. Kjo rritje u reflektua edhe në renditjen e ACI-Europe, sipas së cilës Maqedonia e Veriut në gusht u rendit si tregu i dytë i aviacionit me rritjen më të shpejtë në Evropë. Dëshiroj t’u shpreh sinqerisht mirënjohjen punonjësve të aeroporteve për profesionalizmin, punën e palodhshme dhe përkushtimin e tyre, si dhe Qeverisë, kompanive ajrore si partnerët tanë dhe të gjitha palëve të interesuara që kontribuojnë në rritjen e vazhdueshme të sektorit të Maqedonisë të aviacionit. Presim që ky trend pozitiv i rritjes mbresëlënëse dyshifrore të trafikut ajror të vazhdojë, por ambicia jonë shkon përtej rritjes së numrit të udhëtarëve. Jemi të përkushtuar për ta kombinuar rritjen e qëndrueshme me përsosmërinë në cilësinë e shërbimeve dhe përvojën e udhëtarëve, me qëllim që aeroportet e Maqedonisë së Veriut të vazhdojnë të përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedonia, Nexhat Kurt.

Sipas statistikave të TAV Maqedonia, Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit ka shërbyer 3.065.692 udhëtarë gjatë periudhës janar-shtator, (një rritje prej 29,07 për qind) dhe ka realizuar 20.081 fluturime, (një rritje prej 8,46 për qind), ndërkaq, Aeroporti “Shën Apostull Pali” në Ohër ka shërbyer 265.993 udhëtarë, (një rritje prej 26,76 për qind) dhe ka realizuar 2.066 fluturime, (një rritje prej 27,06 për qind) në nivel vjetor.

Pesë destinacionet më të frekuentuara sipas trafikut ajror të udhëtarëve nga aeroporti në kryeqytetin e Maqedonisë janë: Stambolli me 13,5 për qind pjesë të tregut (duke përfshirë të dy aeroportet – IGA dhe Sabiha Gokçen); Bazel-Miluz me 4,4 për qind; Munihu me 4,1 për qind; Dortmundi me 4 për qind; dhe Cyrihu me 3,8 për qind, pjesë të tregut. Pesë kompanitë ajrore kryesore në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, sipas trafikut ajror të udhëtarëve në nëntë muajt e parë të vitit 2026, janë: Wizz Air (63,8 për qind); Pegasus Airlines (9,4 për qind); Turkish Airlines (4,6 për qind); Ajet Airlines (3,5 për qind) dhe Austrian Airlines (3,4 për qind).

Në të njëjtën periudhë (janar-shtator), pesë destinacionet më të frekuentuara nga Aeroporti “Shën Apostull Pali” në Ohër, sipas trafikut ajror të udhëtarëve, janë: Bratislava me 14,4 për qind pjesë të tregut; Bazeli (12,5 për qind), Dortmundi (12,4 për qind), Memingeni (11,7 për qind) dhe Cyrihu (8,7 për qind). Nëse trafiku i udhëtarëve në aeroportin e Ohrit analizohet sipas pjesëmarrjes së kompanive ajrore, pjesët e tregut janë: Wizz Air (70 për qind), Chair Airlines (8,7 për qind), Turkish Airlines (5 për qind), TUI (4,6 për qind) dhe TUI UK (3 për qind).

Rritja e vazhdueshme e trafikut ajror të udhëtarëve në aeroportet e Maqedonisë, siç thonë ata, është konfirmuar edhe nga raporti më i fundit për trafikun ajror të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve – Evropë (Airports Council International-Europe) për gushtin e vitit 2026.