Spiropali uron Presidenten e re të Kosovës: Një kapitull i ri për shtetin, koha për bashkëpunim, përgjegjësi dhe besim

Deputetja dhe ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka përcjellë një urim për Kosovën dhe Presidenten e sapozgjedhur, Justina Shiroka-Pula.

Në mesazhin e saj, Spiropali vlerëson pjekurinë institucionale dhe politike të Kosovës, duke e cilësuar zgjedhjen e Presidentes si një mundësi për një kapitull të ri bashkëpunimi, përgjegjësie dhe besimi.

Ajo nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjen e krerëve të UÇK-së në Hagë, duke kërkuar mbështetje të drejtësisë dhe angazhim të qëndrueshëm institucional e diplomatik në mbrojtje të tyre.

Urime Kosovë! Kosova kishte nevojë për institucione që marrin përgjegjësi, ofrojnë drejtim dhe u shërbejnë me përkushtim qytetarëve.

Kuvendi i Kosovës dhe palët politike treguan se shteti i Kosovës e ka të gjithë pjekurinë dhe qëndrueshmërinë për përballimin e sfidave në vazhdim.

E uroj me zemër znj.Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës. Jam e bindur se urtësia, dija dhe dashuria e saj për Kosovën do udhëheqin për t’i bashkuar qytetarët përtej ndarjeve politike, për të përfaqësuar me dinjitet interesat e vendit.

Për institucionet tona mbetet gjithashtu përgjegjësi e rëndësishme mbështetja e drejtësisë dhe mbrojtja e krerëve të UÇK-së në Hagë, përmes seriozitetit juridik, bashkëpunimit institucional dhe angazhimit të qëndrueshëm diplomatik.

Urime, Presidente! Uroj që kjo zgjedhje të shënojë fillimin e një periudhe të re bashkëpunimi, përgjegjësie dhe besimi për Kosovën”, shkruan Spiropali.