Ali Ahmeti uron zgjedhjen e Justina Pula-Shiroka si presidente të Kosovës!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në një postim të tij gjatë orëve të hershme të 7 Tetorit ka uruar zgjedhjen e Justina Shiroka Pula për presidente të Kosovës, shkruan Top24

Me një vëmendje të veçantë, sonte përcolla pjekurinë politike dhe përgjegjësinë e lartë shtetërore të autoriteteve politike të Kosovës, të cilat arritën të gjejnë zgjidhje për krizën politike, duke shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare dhe duke zgjedhur në krye të shtetit Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Stabiliteti institucional, përqendrimi te zgjidhjet që i ofrojnë të ardhme më të mirë qytetarëve dhe vendosja e interesit shtetëror e qytetar mbi atë partiak duhet të jenë gjithmonë udhërrëfyes për autoritetet politike të Republikës së Kosovës, shtetit më të ri të Evropës, të krijuar mbi sakrificën dhe gjakun e bijve më të mirë të kombit. Mos të harrojmë se lirinë e kemi fituar me gjak, çlirimin me aleatë!
Presidente Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, urime për përgjegjësinë e re dhe detyrën e lartë shtetërore! Ju uroj shumë sukses, urtësi dhe arritje në ushtrimin e këtij misioni të rëndësishëm në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Urime, Republikë e Kosovës! Të gëzohemi bashkë me sukseset tuaja dhe të ecim përpara me stabilitet, unitet dhe përgjegjësi për të ardhmen e brezave të rinj.