KE propozon rregulla të reja për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë: pezullim i së drejtës së votës deri në 15 vjet

Komisioni Evropian ka propozuar ndryshime me të cilat Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për pranimin e anëtarëve të rinj, mes tyre Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia.

Një nga masat e propozuara parashikon mundësinë që një shtet i ri anëtar të humbasë përkohësisht të drejtën e votës gjatë 15 viteve të para të anëtarësimit, nëse nuk respekton më vlerat themelore dhe rregullat demokratike të BE-së.

Propozimet janë pjesë e përgatitjeve më të gjera për zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Evropian. Interesi për procesin e zgjerimit është rritur ndjeshëm pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, i cili e riktheu sigurinë dhe integrimin evropian në qendër të agjendës politike.

Komisioni Evropian propozon gjithashtu kufizime të veçanta për mbështetjen financiare që do të përfitonte sektori i madh bujqësor ukrainas, me qëllim uljen e pasojave të mundshme ekonomike për vendet aktuale anëtare të BE-së.

Me këto reforma, Brukseli synon njëkohësisht ta përshpejtojë procesin e zgjerimit dhe të krijojë mekanizma shtesë për mbrojtjen e sundimit të ligjit, standardeve demokratike dhe stabilitetit financiar të Bashkimit Evropian.