Grabitje e bujshme në Francë/ Vidhet ‘Apokalipsi’ i Dalís, një prej librave më të çmuar në botë

Një vepër e rrallë e Salvador Dalís është vjedhur në Francë, në një grabitje që ka tronditur botën e artit. Bëhet fjalë për kopertinën monumentale të ‘Librit të Apokalipsit’, e ekspozuar në Qendrën e Artit Bashkëkohor në qytetin e Issoire.

Sipas autoriteteve franceze dhe raportimeve të ‘Le Figaro’, vjedhja ka ndodhur gjatë natës mes së dielës dhe mëngjesit të së hënës. Prokuroria e Clermont-Ferrand e ka cilësuar veprën si ‘të jashtëzakonshme’ dhe ‘shumë të vlefshme’.

Kopertina e veprës u krijua nga Salvador Dalí për një projekt botues të konceptuar në vitin 1958 nga botuesi Joseph Foret, i frymëzuar nga ‘Apokalipsi i Shën Gjonit’.

Dalí krijoi një kopertinë monumentale prej bronzi, të zbukuruar me ar, gurë të çmuar dhe guaska. Vetëm kopertina peshonte rreth 150 kilogramë, ndërsa i gjithë vëllimi arrinte në rreth 210 kilogramë.

Projekti mblodhi disa prej emrave më të njohur të artit dhe letërsisë së shekullit XX, mes tyre Jean Cocteau, Bernard Buffet dhe Jean Giono.

Për shkak të përmasave, peshës dhe materialeve të përdorura, vepra konsiderohej në kohën e saj si një prej librave më të shtrenjtë dhe më të rëndë në botë.

Pas krijimit, vepra u ekspozua në rreth 150 ekspozita ndërkombëtare gjatë viteve 1960 dhe 1970.

Më pas ajo u zhduk për një periudhë, përpara se të ruhej në Zvicër dhe të blihej më vonë nga koleksionistë japonezë.

Në vitin 2003, ‘Apokalipsi’ u ble nga Christian Karoutzos, sipërmarrës dhe restaurues arti nga Issoire, i cili vendosi ta ekspozonte në muzeun e tij privat.

Kryebashkiaku i Issoire, Bertrand Barraud, e cilësoi zhdukjen e veprës si një ‘humbje të paçmueshme’.

Sipas tij, pronari është thellësisht i tronditur nga vjedhja e asaj që ai e konsideron një pjesë autentike të trashëgimisë kulturore franceze.

Hetimi për grabitjen i është besuar brigadës së hetimit të xhandarmërisë së Clermont-Ferrand, e cila po punon për identifikimin e autorëve dhe gjetjen e veprës së vjedhur.