Franca ka testuar sot, për herë të parë nga një nëndetëse, raketën e re balistike “M51.3”, e aftë të mbajë koka bërthamore, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e cilësoi testimin si një dëshmi të rëndësishme të besueshmërisë së kapaciteteve të parandalimit bërthamor të Francës.
Raketa u lëshua nga nëndetësja me energji bërthamore “Le Vigilant”, në brigjet e Bretanjës.
Raketa nuk mbante kokë luftarake dhe përfundoi në Oqeanin Atlantik të Veriut, qindra kilometra larg çdo vije bregdetare.
Ministria franceze e Mbrojtjes bëri të ditur se testimi ishte planifikuar dhe u krye në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Francës.
Presidenti Macron e ndoqi lëshimin e raketës nga anija ushtarake “Auvergne” dhe publikoi gjithashtu një video të testimit në rrjetin social X.
Në një mesazh të tij, presidenti francez shkroi se për të qenë i lirë duhet të jesh i aftë të frikësosh kundërshtarin dhe se, për këtë, duhet të jesh i fuqishëm.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, raketa “M51.3” është pjesë e përpjekjeve të Francës për të ruajtur në afat të gjatë aftësinë operacionale dhe besueshmërinë e forcave të saj bërthamore.
Modernizimi i arsenalit shihet si veçanërisht i rëndësishëm në një periudhë kur mjedisi ndërkombëtar i sigurisë është përkeqësuar.
Testimi zhvillohet në një kohë kur Franca dhe vendet e tjera evropiane janë gjithnjë e më të shqetësuara për kërcënimet që lidhen me Rusinë.
Presidenti Macron ka paralajmëruar për një rritje të agresionit dhe kërcënimeve ruse ndaj vendeve evropiane, përfshirë sulmet hibride që Perëndimi ia atribuon Moskës.
Në shtator, Macron deklaroi se këto veprime nuk do të mbeteshin pa përgjigje.
Sipas tij, ndryshimi i situatës së sigurisë në Evropë kërkon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të parandalimit.
Franca është e vetmja fuqi bërthamore e Bashkimit Evropian dhe zotëron një forcë bërthamore të bazuar kryesisht në nëndetëset strategjike dhe avionët luftarakë.
Kjo e bën arsenalin francez një element të rëndësishëm të sigurisë evropiane.
Në fillim të këtij viti, Macron propozoi që partnerët evropianë të përfshiheshin në një kuadër më të avancuar të parandalimit francez.
Ideja synon të forcojë sigurinë e Evropës përballë kërcënimeve të reja, ndërsa Franca ruan kontrollin mbi vendimin për përdorimin e armëve të saj bërthamore.


