Janis Malukos ka marrë detyrën si ambasador i ri i Greqisë në Maqedoninë e Veriut

Janis Malukos ka marrë detyrën si ambasador i ri i Greqisë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se do të punojë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimin e miqësisë mes dy vendeve.

Në mesazhin e tij të parë publik pas marrjes së detyrës, Malukos theksoi se puna e Ambasadës do të bazohet në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Bashkë me kolegët e mi në Ambasadë, do të punoj për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve dhe forcimin e miqësisë mes dy popujve”, deklaroi Malukos.

Ambasadori i ri grek theksoi gjithashtu mbështetjen e Athinës për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, integrimi evropian i rajonit mbetet një prioritet i përhershëm i Greqisë, me qëllim forcimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit.

Malukos falënderoi gjithashtu për, siç tha ai, mikpritjen e ngrohtë pas mbërritjes së tij në vend.