Prokurori kërkon burgim të përjetshëm për “vrasësin serik” nga Kumanova

Prokuroria sot kërkoi nga Gjykata Themelore në Kumanovë që të shqiptojë dënim me burgim të përjetshëm për vrasësin serial nga Staro Nagoriçane, Trajko Bojkovski.
Ai akuzohet për katër vrasje dhe dy tentativa për vrasje.

Prokurori publik Ljubomir Lape tha se Bojkovski, i cili kishte punuar si bari, në vend që të mbronte personat e pambrojtur, ishte bërë grabitqar i tyre. Sipas prokurorit, ai zgjidhte gra të moshuara dhe që jetonin vetëm dhe i sulmonte.

“Provat tregojnë pa mëdyshje se Stançe Karevska, Janka Antevska, Marija Marinkovska dhe Mira Stankovska janë vrarë në të njëjtën mënyrë, me mbytje dhe presion në pjesën e kraharorit. Te disa prej tyre janë konstatuar edhe lëndime në pjesën e organeve gjenitale, ndërsa gjurmë të ADN-së së të akuzuarit janë gjetur te dy prej viktimave dhe te njëra prej të mbijetuarave”, tha Lape.

Bojkovski nuk e pranon vrasjen e Stançe Karevskës. Prokurori pretendon se gjatë dhënies së deklaratës, ai ka dhënë detaje për kohën dhe mënyrën e kryerjes së veprës, të cilat përputheshin me gjetjet forenzike.

Avokatja e një pjese të të dëmtuarve, Dragana Ilievska-Todoroviq, vlerësoi se provat e lidhin Bojkovskin edhe me vrasjen e Karevskës, e cila është e vetmja vrasje që ai nuk e pranon.
Gjykata Themelore në Kumanovë pritet ta shpallë aktgjykimin në seancën e ardhshme.