OVL-UÇK reagon ndaj policisë: Ndaleni dhunën e tepruar dhe të paprovokuar

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar lidhur me zhvillimet dhe përplasjet e fundit mes policisë dhe protestuesve në Prishtinë.

Në reagimin e saj, OVL-UÇK u është drejtuar zyrtarëve policorë, duke u bërë thirrje që të mos përdorin dhunë ndaj fëmijëve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe qytetarëve.

“Polici, e dimë që jeni me urdhër dhe se po zbatoni urdhra. Por mbani duart larg fëmijëve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe qytetarëve të këtij vendi”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK ka kërkuar ndaljen e asaj që e cilëson si “dhunë të tepruar dhe të paprovokuar”, duke theksuar se nuk kanë përplasje me policinë, por me përfaqësuesit e popullit, të cilët, sipas tyre, duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

“Mos e ktheni uniformën që duhet të mbrojë qytetarin në mjet dhune ndaj tij”, thuhet në fund të reagimit. /IndeksOnline/