Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, ka bërë të ditur se është përuruar çerdhja “Foleja” në Përshefcë, në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, ambasadorit të Bashkimit Evropian, Michael Rokas, ministrit për Punë Sociale, Rini dhe Demografi, Gjoko Velkovski, si dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“Së bashku me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski, Ambasadorin e Bashkimit Evropian, z. Michael Rokas, Ministrin për Punë Sociale, Rini dhe Demografi, z. Gjoko Velkovski, si dhe Kryetarin e Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, përuruam çerdhen “Foleja” në Përshefcë. Nga sot, fëmijët dhe familjet e Komunës së Tearcës kanë çerdhen e tyre.
Jam veçanërisht i lumtur që sot realizoj edhe një premtim të dhënë para qytetarëve të mi. Një premtim që kërkoi punë, përkushtim dhe këmbëngulje, por që sot u bë realitet. “Foleja” nuk është vetëm një objekt. Është një investim për fëmijët tanë, për familjet tona dhe për të ardhmen e Komunës së Tearcës.
Ky është vetëm një nga premtimet që po i kthejmë në vepra.
Faleminderit të gjithëve që kontribuan që kjo ditë të bëhej realitet.
Tearca po ecën përpara!”, ka shkruar Memishi.


