Ushtria e Jemenit kryen 71 operacione kundër pozicioneve të Huth’ive në jugperëndim të vendit

Ushtria e Jemenit njoftoi të shtunën se ka kryer 71 operacione kundër pozicioneve të Huthive në provincën Taiz, në jugperëndim të vendit, transmeton Anadolu.

Forcat tona të armatosura kanë kryer 71 operacione precize kundër grumbullimeve luftarake dhe përforcimeve të milicisë terroriste Huthi” në Taiz, tha në një deklaratë në platformën sociale amerikane X zëdhënësi i ushtrisë, kolonel Majed Abdullah al-Nuzaili.

Al-Nuzaili tha se operacionet janë përqendruar në zonat Al-Akroud, Sama, Al-Ahkum, Al-Akbush, Xhebel Rasin, Xhebel Xherdad, Bani Omar, Bani Bakari, Al-Kaawash dhe Al-Athawir.

“Operacionet kanë rezultuar në shkatërrimin e një numri automjetesh transporti dhe mbështetëse të armikut, neutralizimin e pjesëtarëve të milicisë dhe privimin e formacioneve të tyre nga aftësia për të vazhduar luftimet”, shtoi ai, pa specifikuar numrin e viktimave.

Grupi Huthi nuk e ka komentuar deklaratën.

Zhvillimet kanë ndodhur në një kohë kur në provincën Taiz është përshkallëzuar përballja ushtarake mes forcave qeveritare dhe grupit Huthi.

Të premten, gjashtë civilë, përfshirë dy fëmijë dhe një grua, u plagosën nga bombardimet me artileri të Huthive që shënjestruan lagje të banuara në qendër të Taizit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Jemenit, Saba.

Gjithashtu të premten, ushtria jemenase njoftoi se kanë shpërthyer përleshje të ashpra me Huthit në frontin verior të qytetit të Taizit, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Ushtria gjithashtu tha se ka kryer dhjetëra sulme ajrore kundër lëvizjeve, përforcimeve, grumbullimeve dhe pozicioneve të Huthive në disa zona të provincës.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Jemenit njoftoi vdekjen e Mohammed al-Khawlanit, shefit të shtabit të Brigadës së Forcave të Emergjencës të ministrisë, gjatë përleshjeve me Huthit në frontin Al-Kadha në Taiz.

Përleshjet në vazhdim janë pjesë e një përshkallëzimi ushtarak që ka nisur në korrik, më i gjeri që nga qetësia relative pas armëpushimit të prillit 2022.