Moldavia: Pesë mjete ajrore ruse shkelën hapësirën ajrore dhe shpërthyen brenda territorit moldav

Presidentja e Moldavisë tha të shtunën se pesë mjete ajrore ruse, përfshirë raketa Banderol dhe dronë, kanë shkelur hapësirën ajrore të vendit dhe kanë shpërthyer në territorin e tij, transmeton Anadolu.

Presidentja Maia Sandu paralajmëroi se sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës fqinje “po arrijnë në mënyrë të rrezikshme në Moldavi”.

“Moska po vë në rrezik jetët në gjithë Evropën dhe duhet të ndalet”, shkroi ajo në platformën sociale amerikane X.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Moldavisë “dënoi ashpër” atë që e cilësoi si shkelje të hapësirës ajrore të vendit, duke theksuar se fragmente dronësh janë gjetur jashtë qytetit Causeni, pranë fshatit Dubovca, mes vendbanimeve Delacau dhe Puhaceni, si dhe pranë Crocmazit, ku incidenti ka shkaktuar zjarr në bimësi dhe dëme materiale.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon të paraqesë kërcënime konkrete për vendin tonë dhe sigurinë e të gjithë rajonit”, tha ministria.

Moska nuk i ka komentuar menjëherë akuzat e Moldavisë.

Të enjten, ministria thirri ambasadorin rus në Kishinau për t’i dorëzuar një notë proteste, pasi tre dronë shkelën hapësirën ajrore të Moldavisë brenda një dite.

Ministria tha se dy nga dronët u rrëzuan dhe shpërthyen në territorin e vendit, duke theksuar se gjatë shtatë ditëve të fundit hapësira ajrore e vendit është shkelur tetë herë.

Ambasadori rus në Moldavi, Oleg Ozerov, akuzoi Kishinaun se po shpërfill propozimet e Moskës për hetimin e përbashkët të incidenteve me dronë që rrëzohen në territorin moldav.

“Jemi ngopur me akuzat e pabazuara”, tha ai për agjencinë shtetërore të lajmeve Tass, pas vizitës në Ministrinë e Jashtme të Moldavisë. “Nuk kemi marrë asnjë dëshmi se droni është me origjinë ruse”, shtoi ai.

Gjatë muajve të fundit, një numër në rritje i vendeve evropiane kanë protestuar për shkelje të pretenduara të hapësirës së tyre ajrore nga dronë rusë, pretendime që Moska i ka mohuar.