Kosovë–Shqipëri–Kroaci thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, me fokus në industrinë ushtarake, trajnimet, shkëmbimin e informacionit dhe përballjen me kërcënimet hibride.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe homologu i tij kroat, Ivan Anušić, u takuan më 2 tetor në Zarë, në kuadër të konferencës ndërkombëtare “EU 4 Defence Readiness – Road Map to Future”.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, dy ministrat diskutuan zgjerimin e bashkëpunimit trepalësh Kosovë–Shqipëri–Kroaci, duke synuar që ai të jetë i hapur edhe për vende të tjera të rajonit që ndajnë interesa dhe vlera të përbashkëta.

 

Bashkëpunimi përfshin zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, trajnime të përbashkëta, shkëmbim informacioni dhe koordinim për përballimin e kërcënimeve hibride.

 

Ministri kroat Anušić deklaroi gjithashtu se Kroacia duhet të bashkëpunojë me aleatët e saj, duke përmendur Kosovën dhe Shqipërinë si vende me politika të orientuara drejt paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit.

 

Bashkëpunimi trepalësh nuk është i ri. Shqipëria, Kroacia dhe Kosova nënshkruan një deklaratë të përbashkët për bashkëpunimin në mbrojtje në mars të vitit 2025, me synim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, industrisë së mbrojtjes dhe ndërveprueshmërisë ushtarake.

 

Në shkurt të vitit 2026, ministrat e Mbrojtjes të tre vendeve riafirmuan në Mynih angazhimin për thellimin e bashkëpunimit në mbrojtjen kolektive, industrinë e mbrojtjes dhe zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta.