Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nëpërmjet një reagimi në Facebook, i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që në Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të përfshihet një amendament që ndalon rihapjen e çështjeve për të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore të gjykuara më herët.
Në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit, shefave të grupeve parlamentare dhe deputetëve, OVL-UÇK thotë se një dispozitë e tillë do të garantonte sigurinë juridike dhe respektimin e parimit ne bis in idem, sipas të cilit një person nuk duhet të përballet përsëri me procedura penale për të njëjtat fakte për të cilat ekziston një vendim përfundimtar, transmeton Klankosova.tv.
OVL-UÇK thekson se kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe kërkon që ndryshimi i cilësimit juridik apo formulimit të akuzave të mos mundësojë, sipas saj, “riciklimin” e fakteve dhe rrethanave që janë shqyrtuar më parë nga Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) UNMIK-u, EULEX-i apo gjykata të tjera kompetente.
Organizata i ka bërë thirrje Kuvendit që këtë amendament ta trajtojë me urgjencë.


