Ali Ahmeti nga Sllupçani: Qëndrojmë pranë çlirimtarëve!

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se në Sllupçan të Karadakut të Likovës është dhënë, sipas tij, “mbështetje e fuqishme dhe e parezervë” për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti tha se mbështetja ishte në favor të “çlirimtarëve tanë” dhe përsëriti qëndrimin e tij se proceset gjyqësore ndaj tyre janë të padrejta.

“UÇK-ja është një vlerë sublime e kombit tonë. Ajo doli nga populli dhe luftoi për popullin”, shkroi Ahmeti, duke theksuar se, sipas tij, UÇK-ja ishte ngritur kundër politikave të regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Ahmeti gjithashtu pretendoi se akuzat ndaj të akuzuarve në Hagë janë “të fabrikuara nga Beogradi dhe Moska”, ndërsa kërkoi që drejtësia të bazohet në fakte dhe prova.

“Sot, si dje, qëndrojmë pranë çlirimtarëve. Drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe prova, jo në fabrikime politike”, deklaroi Ahmeti.

Deklaratat e tij vijnë në kuadër të mbështetjes politike dhe publike ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.