Trump njofton marrëveshjen: Evropa do të nxjerrë sasi të mëdha të rezervave të naftës

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar të premten se vendet evropiane kanë rënë dakord të nxjerrin në treg një “sasi të madhe” të rezervave të tyre të naftës dhe dizelit, në një kohë kur çmimet e karburanteve janë rritur dhe zgjedhjet e nëntorit në SHBA po afrohen. Sipas raportimeve të fundit, vendet e G7 kanë rënë dakord për lirimin e rreth 100 milionë fuçive nga rezervat strategjike, përfshirë një sasi të konsiderueshme dizeli.

Evropa sapo ka rënë dakord të nxjerrë në treg një sasi të madhe të rezervave të saj të mëdha të naftës. Procesi do të fillojë menjëherë,” shkroi Trump në një postim në Truth Social.

Marrëveshja për lirimin e rezervave vjen në kuadër të përpjekjeve për të rritur furnizimin dhe për të frenuar presionin mbi çmimet e karburanteve. Franca kishte propozuar më herët lirimin e rezervave të naftës së papërpunuar dhe dizelit, ndërsa vendet e G7 kanë koordinuar masat përmes Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Në të njëjtën kohë, Trump ka njoftuar një marrëveshje të re me Venezuelën, përmes së cilës Shtetet e Bashkuara do të kenë kontrollin e shumicës së një sipërmarrjeje që lidhet me më shumë se 65 miliardë fuçi rezerva të provuara nafte në Venezuelë.

Shtëpia e Bardhë e ka përshkruar marrëveshjen si një marrëveshje historike, duke deklaruar se ajo do të rrisë ndjeshëm rezervat dhe furnizimin amerikan me naftë, ndërsa synimi i administratës është që të ndikojë edhe në uljen e çmimeve të karburanteve.

Sipas marrëveshjes, autoritetet e përkohshme venezuelase kanë dhënë koncesione 100-vjeçare për zhvillimin e 17 fushave të naftës, të cilat kanë rezerva të provuara prej rreth 65 miliardë fuçish.

Edhe presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, e ka përshëndetur marrëveshjen, duke e cilësuar si një hap me ndikim të rëndësishëm në rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Sipas deklarimeve të palës venezuelase, marrëveshja parashikon zhvillimin e 17 fushave strategjike të naftës, me një potencial të provuar prej 65 miliardë fuçish. Investimet pritet të kalojnë 100 miliardë dollarë, ndërsa shteti venezuelas parashikohet të përfitojë më shumë se 209 miliardë dollarë në taksa.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka cilësuar marrëveshjen si një “fitore të madhe” për popullin amerikan dhe atë venezuelas. Sipas tij, marrëveshja do të sjellë rreth 100 miliardë dollarë investime private në Venezuelë, mijëra vende pune dhe do të ndihmojë në rindërtimin e ekonomisë së vendit.

Detajet e plota të marrëveshjes nuk janë bërë publike. Sipas administratës amerikane, marrëveshja është arritur nga Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në bashkëpunim me biznese private, ndërsa Trump ka theksuar se ajo nuk do t’u kushtojë asgjë taksapaguesve amerikanë.

Sipas një zyrtari amerikan, SHBA-të do të kenë 55% të kontrollit të sipërmarrjes së përbashkët, së bashku me një operator privat me përvojë në industrinë venezuelase të naftës. Marrëveshja parashikon gjithashtu koncesione 100-vjeçare për operimin në 17 fusha nafte.