Ish Avokati i Popullit dhe juristi Naser Ziberi, duke komentuar nismën e kreut të LD-së Pavle Trajanov në Kushtetuese për anulimin e interpretimit autentik të nenit 1 nga Ligji për Amnisti, u shpreh se Kushtetuesja duhet të veprojë ashtu siç ka vepruar tri herët e kaluara lidhur me këtë çështje sikurse në vitin 2003, 2007 dhe 2012, e ajo është të hedhë poshtë mundësinë për rishqyrtim të ligjit. Në Kushtetuese, përmes anulimit të interpretimit autentik, Trajanov kërkon që për krime lufte në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, të përgjigjen të dyshuarit në pesë rastet e shqyrtuara nga Tribunali i Hagës, edhe pse për ta asnjëherë nuk pati dëshmi.
“Hapja apo rihapja dhe eventualisht nëse pranohet iniciativa do të ishte një shkelje e rëndë edhe ndaj Tribunalit të Hagës edhe ndaj ligjit për amnisti e për pasojat politike të mos flasim se çfarë do të thotë kjo. Kjo do të thotë shkelje e rëndë mbi parimet e vendosjes së paqes të vërtetuara në Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001, shkelje mbi këto parime”, deklaroi Naser Ziberi në emisionin “Gjurmët”.


