Dogana sekuestron 700 gramë hashash në një dërgesë postare nga Spanja

Zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka njoftuar për parandalimin e një tentative për kontrabandë të drogës, pasi gjatë kontrollit të një dërgese postare nga Spanja janë zbuluar rreth 700 gramë hashash.

Sipas Dautit, lënda narkotike ishte ndarë në shtatë paketime dhe ishte kamufluar për të mos rënë lehtë në sy.

Zbulimi u bë falë procedurave të kontrollit dhe ndihmës së qenit të trajnuar për zbulimin e narkotikëve, ndërsa dyshimi u konfirmua edhe përmes testimit të materialit.

Personi që kishte porositur dërgesën, shtetas i Maqedonisë së Veriut, është ndaluar në momentin e marrjes së saj. Pas ekspertizës së urdhëruar nga Prokuroria Publike, është konfirmuar se bëhet fjalë për hashash, ndërsa droga është sekuestruar dhe ndaj personit është ngritur kallëzim penal.

Dauti theksoi se puna e Doganës nuk kufizohet vetëm në kontrollet rutinë, por përfshin edhe angazhimin profesional dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera për parandalimin e kontrabandës.