Një këshillë nga Brukseli, një takim në Sofje

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zhvilloi një vizitë mjaft të rëndësishme zyrtare në Shkup, ku u prit me nderime nga Kryeministri Hristijan Mickoski. Kjo vizitë vjen në një moment mjaft kritik për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Të dy udhëheqësit zhvilluan takime të ngjeshura dypalëshe ku në vatër të diskutimeve ishin e ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut, dinamika e reformave të brendshme, zbatimi i Planit të Rritjes, si dhe gjetja e një formule konkrete për kapërcimin e pengesave politike që po mbajnë pezull hapjen e kapitujve të parë negociues, shkruan gazeta KOHA.

Në fokus të veçantë të bisedimeve ishin edhe përfitimet e drejtpërdrejta ekonomike, infrastrukturore dhe teknologjike që qytetarët dhe bizneset vendase po sigurojnë tashmë nga mbështetja e Bashkimit Evropian, ende pa u bërë anëtarë me të drejta të plota.

MICKOSKI: “KËRKOJMË KUSHTE TË QËNDRUESHME, JO PROCES TË SHTYRË”

Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët për shtyp, Kryeministri Hristijan Mickoski e vuri theksin te përkushtimi i qeverisë për të zbatuar reformat thelbësore institucionale dhe ekonomike. Ai nënvizoi se vendi nuk ka asnjë synim ta shtyjë apo ta vonesë procesin e anëtarësimit, por kërkon që ky proces të lëvizë përpara mbi baza të forta, të parashikueshme dhe të qëndrueshme, pa përballur vazhdimisht kërkesa të reja apo interpretime shtesë.

Mickoski spikati se pjesa më e madhe e punës po bëhet pikërisht brenda vendit, përmes reformimit të thellë të sundimit të ligjit, administratës publike, përmirësimit të klimës afariste, dixhitalizimit dhe reformave në arsim.

“Nëse nga ne priten vendime me pasojë afatgjata, atëherë është e arritshme të presim edhe një perspektivë të qartë evropiane për atë që pason pas kësaj. Qëllimi ynë nuk është ta shtyjmë procesin, por të krijojmë kushte që ai përfundimisht të lëvizë përpara mbi një bazë të qëndrueshme dhe stabilizuese. Ambicia jonë është e qartë: derisa flasim për anëtarësimin, në shtëpi të ndërtojmë një shtet që sipas institucioneve, standardeve dhe mundësive ekonomike funksionon si shtet evropian”, deklaroi kryeministri Mickoski.

KËSHILLA STRATEGJIKE NGA BRUKSELI: NISJA E DIALOGUT ME SOFJEN

Gjatë pjesës së pyetjeve nga gazetarët, vëmendjen kryesore e mori çështja e bllokadës diplomatike dhe kërkesa e Shkupit për përfshirjen e përfaqësuesve të BE-së në bisedimet me Sofjen. I pyetur mbi përgjigjen që mori nga Komisioni Evropian, Kryeministri Mickoski zbuloi këshillën e drejtpërdrejtë që i kishte dhënë Ursula von der Leyen gjatë takimit me derë të mbyllur.

“Nga Presidentja mori një këshillë: që javën e ardhshme Ministri ynë i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme do të jetë në Sofje, shkaku është Korridori 8 dhe projektet që po zhvillojmë të kërkojmë nga mikpritësi një takim në bazë dypalëshe. Unë menjëherë kërkova nga ministri të dërgojë notë diplomatike dhe të kërkojë kohë për takimin me kolegen e tij, që të fillojmë procesin nga ndonjë pikë” konfirmoi Mickoski. Kjo lëvizje tregon një përpjekje të re diplomatike për të dalë nga status-quoja dhe për të ndërtuar një urë dialogu të drejtpërdrejtë mes dy vendeve fqinjë.

VON DER LEYEN: “IDENTITETI DHE GJUHA MAQEDONASE E PASUROJNË BE-NË”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e nisi fjalën e saj duke vlerësuar lart rolin e Maqedonisë së Veriut si një aleat mjaft i çmuar dhe i besueshëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ajo rikujtoi se vendi ishte i pari në rajon që nënshkroi partneritetin për mbrojtje dhe siguri me BE-në dhe se u rreshtua pa hezitim në koalicionin e vendeve që mbrojnë vlerat evropiane. Von der Leyen dha mesazhe të qarta sa i përket identitetit dhe ardhmerisë së vendit në familjen evropiane, duke u përpjekur të largojë çdo shqetësim mbi këtë çështje ndaj popullatës vendase.

“I dashur Hristijan, kjo është Maqedonia e Veriut që ne e njohim, një vend që qëndron pas fjalës së vet, një vend që i përket tryezës në Bashkimin Evropian, dhe mesazhi im është ky: e qartë, ju na përkisni neve. Ne do t’i urojmë mirëseardhjen Maqedonisë së Veriut me identitetin dhe gjuhën e saj. Besojmë se kultura maqedonase dhe gjuha maqedonase mund ta bëjnë Unionin tonë më të pasur, sepse motoja jonë është ‘Bashkuar në diversitet’ dhe ne jemi shumë seriozë për këtë çështje” u shpreh me optimizëm shefja e KE-së. Ajo rikujtoi se procesi i skriningut u përfundua me sukses në më pak se një vit dhe se tani mbetet vetëm një hap kyç për të hapur zyrtarisht grupin e parë të kapitujve të njohur si “Themeloret”.

BE PO PËRGATITET PËR ZGJERIM, GATI UDHËRRËFYESI PAS ZHBLLOKIMIT

Në përmbyllje të fjalës së saj, Ursula von der Leyen nënvizoi se zgjerimi është një proces dypalësh. Ndërsa vendet kandidate përgatiten për anëtarësim, vetë Bashkimi Evropian po përgatit institucionet, politikat dhe buxhetin e tij për t’u bërë më i madh dhe për të pritur anëtarët e rinj. E pyetur mbi udhërrëfyesit e anëtarësimit që Brukseli po harton për disa vende të rajonit, ajo sqaroi se sapo të arrihet zhbllokimi politik, Maqedonia e Veriut mund të ecë me hapa mjaft të shpejtë për shkak të punës së madhe që ka bërë tashmë në terren. Të dy udhëheqësit e mbyllën takimin me mesazhin se ekziston vullneti politik për ta kthyer këtë moment në një sukses real për të ardhmen evropiane të rajonit. (koha.mk)