Momentet dramatike që përjetoi dhe përpjekjet e dëshpëruara për të shmangur një tragjedi në ajër janë rrëfyer nga kapiteni i fluturimit FZ1073 të Flydubai, Sumit Machar, gjatë një bisede telefonike me kryeministrin indian Narendra Modi.
Machar, shtetas indian, ndodhet ende i shtruar në spital pasi u plagos rëndë gjatë përleshjes me bashkëpilotit të tij. Për herë të parë, ai ka treguar me fjalët e tij se çfarë ndodhi brenda kabinës së pilotit, ku u godit disa herë me thikë.
Pavarësisht plagëve, Machar arriti të hapte derën e kabinës së pilotëve, duke bërë të mundur ndërhyrjen dhe, sipas rrëfimit të tij, duke shmangur një tragjedi më të madhe në avionin që udhëtonte drejt Tel Avivit.
“Zotëri, gjithmonë kam thënë se ju jeni modeli im më i madh. Fakti që më telefononi dhe më inkurajoni në këtë mënyrë më bën të ndihem jashtëzakonisht krenar”, u përgjigj Machar.
Kapiteni tregoi se si bashkëpiloti, me shtetësi omaneze, nxori një thikë dhe e plagosi disa herë, ndërsa avioni nisi të humbte lartësi.
“Në atë moment po luftoja për jetën time”, kujtoi Machar. Ai tha se ishte aq i plagosur sa u rrëzua në dysheme, por e kuptoi se duhej të ngrihej dhe të vepronte.
“Kam 17 vjet që pilotoj aeroplanë, 11 prej tyre si kapiten. Mund ta kuptoj çfarë po ndodh në aeroplan edhe me sytë mbyllur”, rrëfeu ai.
Sipas tij, momenti vendimtar erdhi kur ndjeu se avioni po zbriste.
“Kur rashë në dysheme, ndjeva aeroplanin duke u ulur. E dija me siguri: Nëse bëj vetëm një lëvizje të fundit, një përpjekje të fundit… dera është pikërisht aty”, tha Machar.
“Edhe pse po më godisnin gjithnjë e më shumë, sapo e hapa, të gjithë hynë brenda. Secili luajti rolin e tij. I thashë vetes se po e bëja për jetën time, por në të njëjtën kohë e dija se nuk mund t’i lija të gjithë ata njerëz të vdisnin atje”, tregoi piloti.
Machar foli edhe për trajtimin mjekësor që mori pas uljes së avionit në Tabuk të Arabisë Saudite.
“Njerëzit këtu, që nga momenti që mbërrita në Arabinë Saudite, më dhanë kujdesin dhe vëmendjen më të mirë të mundshme mjekësore. Nuk mund të kisha pasur asgjë më të mirë”, tha ai.
Në fund të bisedës, kapiteni tregoi edhe për mënyrën se si u përpoq të përballonte dhimbjen dhe frikën gjatë momenteve kritike.
“Unë mendoj vetëm pozitivisht. Sa herë që ndiej dhimbje, vetëm një gjë më vjen në mendje: recitoj Hanuman Chalisa”, tha Machar, duke iu referuar himnit hindu kushtuar Hanumanit.
“Edhe në atë moment në aeroplan, sapo recitova Hanuman Chalisa dhe e di se ishte Zoti që më shpëtoi”, shtoi ai.
Kapiteni u përlot gjatë telefonatës me kryeministrin indian, duke thënë se telefonata dhe mbështetja e Modit e bënë të ndihej jashtëzakonisht krenar.


