Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët ministrore „Harmonizimi me legjislacionin evropian dhe menaxhimi i burimeve ujore në Ballkanin Perëndimor“, në kuadër të Forumit Euro-Mesdhetar për Ujërat, i cili u mbajt në kryeqytetin e Italisë, Romë.
Në fjalën e saj, Lashkoska theksoi se Maqedonia e Veriut vazhdon me harmonizimin e legjislacionit kombëtar me të drejtën evropiane, me qëllim që standardet evropiane të përkthehen në përmirësime konkrete për qytetarët dhe mjedisin.
„Qëllimi ynë është që harmonizimin me të drejtën evropiane ta përkthejmë në ujë më të sigurt për qytetarët, lumenj më të pastër dhe një sektor ujor më rezistent ndaj ndryshimeve klimatike. Uji duhet të jetë një prioritet nacional në investimet afatgjata“, theksoi Lashkoska.
Ajo theksoi se burimet ujore dhe sfidat klimatike kërkojnë bashkëpunim më të fuqishëm rajonal, shkëmbim të njohurive dhe qasje të koordinuar ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në tryezën e rrumbullakët u diskutua edhe mundësia e krijimit të një forumi të përhershëm rajonal për ujërat, si mekanizëm për dialog dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.
Lashkoska theksoi se modernizimi i infrastrukturës ujore, mbrojtja e cilësisë së ujërave dhe përballja me thatësirat dhe përmbytjet janë ndër sfidat kryesore për sigurinë ujore dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike.
Forumi Euro-Mesdhetar për Ujërat është një platformë ndërkombëtare për dialog ndërmjet politikëbërësve, shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe sektorit të biznesit. Qëllimi i tij është të nxisë bashkëpunimin dhe veprimin e përbashkët, jo vetëm ndërmjet vendeve mesdhetare, por edhe me Komisionin Evropian, vendet anëtare të BE-së, vendet e Ballkanit dhe Lindjen e Mesme.



