Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian është kyçe për transformimin demokratik, sundimin e ligjit dhe avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ndërsa perspektiva e besueshme evropiane është thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Kështu deklaroi sot zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski, në takimin me ministrat e Punëve të Jashtme, në kuadër të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Przhno të Malit të Zi.
Integrimi evropian, bashkëpunimi rajonal dhe forcimi i stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor ishin në fokus të takimit, ku, sipas njoftimit të kabinetit të tij, morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të shteteve anëtare të BE-së, pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, si dhe përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor.
Në fjalimin e tij, Dimitrovski theksoi se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm çështje rajonale, por edhe domosdoshmëri evropiane. Në kushtet e zhvillimeve të ndërlikuara gjeopolitike dhe ekspozimit të shtuar ndaj ndikimeve të jashtme, ai nënvizoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm rajonal dhe evropian.
Ai theksoi se çështjet dypalëshe nuk duhet të përbëjnë pengesë në rrugën drejt BE-së, pasi ato e dobësojnë perspektivën evropiane dhe, rrjedhimisht, edhe sigurinë dhe qëndrueshmërinë e vendeve të rajonit dhe të Evropës.
“Me fqinjin tonë lindor duam dialog evropian, e jo mesjetar – dialog për të ardhmen, e jo për historinë. Në procesin e anëtarësimit në BE duhet t’i transformojmë institucionet dhe të vendosim shtetin e së drejtës, e jo ta transformojmë identitetin dhe ta ndryshojmë narrativin historik”, theksoi Dimitrovski.
Në fjalimin e tij, Dimitrovski u ndal edhe te rëndësia e Procesit të Berlinit si një platformë e rëndësishme për avancimin e ndërlidhjes rajonale, lehtësimin e lëvizjes së lirë dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillim ekonomik, paqe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor, me synimin për afrimin më të shpejtë të rajonit me standardet evropiane.


