Rafael Leao do ta veshë fanellën me numrin 7 të Portugalisë në ndeshjen ndaj Danimarkës, pasi Cristiano Ronaldo u largua nga grumbullimi i Kombëtares portugeze, përcjell TV21. Sipas listës zyrtare të publikuar nga UEFA mëngjesin e ndeshjes, Leao do të bartë numrin 7 në sfidën që Portugalia do ta zhvillojë në stadiumin “Parken” të Kopenhagës.
Rregullorja e Ligës së Kombeve përcakton që lojtarët e përfshirë në listën e ndeshjes duhet të kenë numrat nga 1 deri në 23. Për këtë arsye, numri 7, i cili për vite me radhë është identifikuar me Cristiano Ronaldon, nuk mund të mbetet pa lojtar. Fanella me numrin 7 ka një histori të veçantë në futbollin portugez, pasi para Ronaldos ishte e lidhur edhe me legjendën Luís Figo.


