Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor ka lëshuar një reagim zyrtar lidhur me ngjarjen e raportuar pak ditë më parë ku një grup nga Maqedonia e Veriut ka hequr simbolin e shqiponjës dykrenare, i cili ishte vendosur nga një ekip alpinistësh shqiptarë në majën e Korabit.
Federata thekson se shqiponja dykrenare është simbol i historisë, identitetit dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve dhe se heqja e saj cenon respektin e ndërsjellë e frymën e solidaritetit në sport.
Në reagim gjithashtu iu kërkua autoriteteve shqiptare të verifikojnë ngjarjen, të identifikojnë personat përgjegjës dhe të kthejnë simbolin në vend.
Reagimi i plotë:
Shqiponja dykrenare është simbol i identitetit, historisë dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve. Heqja e saj është një veprim që cenon respektin e ndërsjellë dhe bie ndesh me frymën e solidaritetit që përfaqëson alpinizmi.
U kërkojmë autoriteteve shqiptare të verifikojnë ngjarjen dhe të ndërmarrin hapat përkatës për identifikimin e personave përgjegjës dhe kthimin e simbolit, në përputhje me ligjin dhe kompetencat territoriale.
Njëkohësisht, u bëjmë thirrje organizatave të alpinizmit në Maqedoninë e Veriut të distancohen nga veprime të tilla dhe të kontribuojnë në sqarimin e rastit. Sjellja e individëve nuk duhet të cenojë miqësinë dhe bashkëpunimin mes komuniteteve tona sportive.
Federata mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit sportiv dhe fqinjësisë së mirë, duke kërkuar të njëjtin respekt për identitetin dhe simbolet kombëtare shqiptare. Malet na bashkojnë. Respekti i ndërsjellë duhet të na udhëheqë!


