Zëvendëskryeministri Bekim Sali ka përshëndetur bashkimin e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja në një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare në Serbi.
“Përmes këtij postimi dua ta përshëndes bashkimin e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja në një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Republikën e Serbisë.
Ky është një hap politik me rëndësi dhe një dëshmi se, përballë sfidave që kërkojnë përfaqësim të denjë, bashkëpunimi dhe bashkimi rreth interesit të përbashkët janë vlera që duhet të ruhen dhe kultivohen.
Si shqiptarë që jetojmë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me shqiptarët e Luginës kemi aq shumë lidhje vëllazërore, historike dhe kulturore, e vlerësojmë çdo përpjekje që synon përfaqësimin institucional, demokratik dhe të përgjegjshëm të shqiptarëve atje.
Uroj që kjo frymë e bashkëpunimit të sjellë rezultate konkrete për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe ky unifikim të rezultojë me sukses në zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar Sali.


