Gjoba në vlerë të mbi 80 mijë eurove për hedhje të paligjshme të mbeturinave në Shkup

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski tha se gjatë periudhës së kaluar janë shqiptuar gjoba në vlerë prej mbi 80 mijë eurosh për persona juridikë që kanë vepruar në mënyrë të papërgjegjshme me mbeturinat, përcjell TV21. Ai shtoi se për një luftë më efikase kundër këtyre dukurive është e nevojshme formimi i policisë komunale.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me zbatimin e ndalesës për hedhjen e mbeturinave pas orës 22:00, Gjorgjievski tha se Inspektorati i Qytetit të Shkupit i kryen me përkushtim kompetencat e tij, por theksoi se sistemi aktual ka kufizime.

“Absolutisht na mungon policia komunale, për të cilën presim që Ligji për Vetëqeverisje Lokale të miratohet në Kuvend. Edhe një herë bëj apel që kjo të ndodhë sa më shpejt. Nuk mjafton vetëm të shqiptoni gjobë, shumë e rëndësishme është edhe lartësia e gjobës”, theksoi kryetari i Shkupit.

Gjorgjievski tha se një pjesë e qytetarëve konsiderojnë se është më lirë ta paguajnë gjobën sesa ta hedhin siç duhet mbeturinën e vëllimshme në deponinë “Drislla”, prandaj Qyteti planifikon që çdo javë të mundësojë hedhjen falas të këtyre mbeturinave për të gjithë banorët e Shkupit.

Sipas tij, problemi me deponitë ilegale është rezultat i sjelljes së një numri të vogël qytetarësh dhe kompanish të papërgjegjshme, të cilët lënë mobilie të vjetra dhe mbeturina të tjera të vëllimshme pranë kontejnerëve, parqeve dhe bulevardeve.

“Nuk mund të lejojmë që, po e përsëris, sjellja e një pakice të na krijojë problem të gjithëve. Pakicë janë ata që sillen në mënyrë të papërgjegjshme ndaj mjedisit, pakicë janë ata që kur rinovojnë kuzhinat, shtretërit dhe gjithçka tjetër, i lënë në parqe, në bulevarde, rreth kontejnerëve e kështu me radhë. Kemi ndërhyrje serioze ndaj personave juridikë, gjatë periudhës së kaluar janë shqiptuar gjoba në vlerë prej mbi 80 mijë eurosh dhe kjo është një shumë serioze gjobash. Bëhet fjalë për kantierë ndërtimi apo kamionë që në mënyrë të papërgjegjshme hedhin mbeturina. Nëse të gjithë luftojmë në mënyrë tërësore kundër problemit që shkaktohet nga një numër i vogël njerëzish, mendoj se do ta arrijmë efektin e dëshiruar. Për shifrat e gjobave, përsëri po them, mund t’i drejtoheni lirshëm inspektoratit”, tha Gjorgjievski.

Ai theksoi se në luftën kundër ndotjes dhe hedhjes së paligjshme të mbeturinave janë përfshirë aktivisht edhe komunat e Shkupit, duke vlerësuar se me një qasje të koordinuar mund të arrihen rezultatet e dëshiruara. Gjorgjievski shtoi se Qyteti i Shkupit mbetet i përkushtuar ndaj transparencës së plotë dhe se të gjitha të dhënat më të detajuara për numrin e gjobave të shqiptuara janë në dispozicion përmes inspektoratit të qytetit.