“Shqipëria me numrin më të lartë të paraburgimeve”/ Rama prezanton paketën e garancive procedurale: Ndërhyrja e parë që trajton me kujdes prezumimin e pafajësisë

Rama prezantoi atë që është quajtur, ‘Paketa e Garancive Penale’ e cila sipas tij trajton për herë të parë me kujdes prezumimin e pavarësisë. Paketa synon uljen e numrit të të paraburgosurve në Shqipëri, që sipas shifrave të shpalosura nga Kryeministri rezulton të jetë më i larti në Europë.

“Bashkautorët e kanë quajtur paketa e garancive procedurale. Kjo është ndërhyrja e parë që trajton me kujdes prezumimin e pafajësisë. Nëse deri tani i kemi dhënë fuqi krahut të shtetit, sot i kemi dhënë forcën edhe krahut të të drejtës së njeriut. Në Shqipëri peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga ana e shtetit. Shqipëria mban barrën me të rëndë të paraburgimit në kontinentin e Europës. 62% e njerëzve në burgjet tona janë të paraburgosur, pra mbahen në burg për atë që akuzohen, mesatarja europiane ishte 26%.

Nuk mund të vazhdojmë me shifra të tilla, pas të cilave ka jetë njerëzish, drama familjesh, trauma familjesh dhe dëme të pariparueshme jo vetëm për ata që i vuajnë, por edhe për shoqërinë. Një politikë e tillë penale ka një impakt negativ jo vetëm te viktimat e drejtpërdrejta, por dhe mbi shoqërinë, që nuk bëhet asnjëherë më e mirë, kur peshorja e drejtësisë anon nga represioni shtetëror.

Qëndrimi mesatar arrin 253 ditë kundrejt 155 në vendet e BE, ku për kohën e paraburgimit ka dhe kufizime që në Shqipëri mungojnë. Ndërsa në GJKKO kjo shifër ngrihet në shifrën e paimagjinueshme për Europën, 616 ditë”, tha Rama.