Alarm në avionin e nisur nga Dubai drejt Tel Avivit: Ngrihen në ajër bombarduesit izraelitë

Kanë përjetuar momente paniku pasagjerët e një avioni të linjës ajrore Flydubai, i cili po fluturonte nga Dubai drejt Tel Avivit, kur papritur raportoi një emergjencë duke transmetuar për një kohë të shkurtër një kod që tregonte rrëmbim ose devijim të detyruar të avionit.

Kaq mjaftoi që në shtetin hebre të jepej alarmi, dhe avionë luftarakë të Forcave Ajrore izraelite të ngriheshin në ajër me urgjencë. Edhe pse zëdhënësi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, pasi u informua për ngjarjen, përjashtoi menjëherë mundësinë e rrëmbimit të avionit, një burim vendas i sigurisë pohoi se fakti “ që nuk po arrinin të kontaktonin me pilotin konsiderohej mjaft shqetësues”.

Avioni më pas, u ul pa probleme në aeroportin e Tabukut, në Arabinë Saudite. Sipas rindërtimeve fillestare të ngjarjes, shkak i incidentit mund të ketë qenë një konflikt mes pilotëve. Këtë e raportojnë Ynet dhe Times of Israel, duke cituar burime të sigurisë izraelite. Në bordin e avionit ndodheshin 174 pasagjerë, nga të cilët 150 izraelitë. 27 prej pasagjerëve ishin fëmijë.

Sinjali i emergjencës duket se u lëshua teksa avioni ishte në zbritje dhe po kryente një kthesë. Pas incidentit, Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz zhvilluan një konsultim urgjent për çështjet e sigurisë.

Për momentin nuk ka detaje të tjera lidhur me atë se çfarë e shkaktoi dhënien e alarmit për rrëmbim apo gjendjen e avionit.