Aktgjykimi për krerët e UÇK-së ka 2,089 faqe dhe ende nuk është përkthyer në shqip. Po ashtu, ende nuk është përfunduar procesi i redaktimit dhe diskutimit mes palëve për versionin që do të jetë i qasshëm për publikun.
Paneli i Apelit, i caktuar më 22 shtator nga Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka vendosur për shtyrjen e afatit për paraqitjen e njoftimit të apelit nga Mbrojtja në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Paneli përbëhet nga gjyqtarja Michèle Picard, gjyqtari Kai Ambos dhe gjyqtarja Nina Jørgensen.
Ndonëse rregulloret parashohin se njoftimi për apelim duhet të bëhet më së largu më 16 tetor, pra 30 ditë pas shpalljes së aktgjykimit, Apeli e ka konsideruar të arsyeshme kërkesën për shtyrje dhe ka caktuar 27 nëntorin si afatin e fundit.
Në vendimin e tij, Apeli ka renditur edhe arsyetimet e Mbrojtjes dhe Prokurorisë për shtyrjen e afatit.
Mbrojtja kishte konsideruar se “gjatësia dhe kompleksiteti i pashembullt i Aktgjykimit përbëjnë arsye të vlefshme për zgjatjen e afatit të kërkuar”.
Përveç kësaj, sipas këndvështrimit të Mbrojtjes, mungesa e një përkthimi në gjuhën shqipe të Aktgjykimit dhe pamundësia e të akuzuarve për ta lexuar atë në gjuhën angleze përbëjnë një tjetër sfidë që favorizon miratimin e zgjatjes së afatit të kërkuar.
Mbrojtja argumenton se është e detyruar të ndajë burime të konsiderueshme për këtë proces përkthimi, gjë që ndikon në aftësinë e saj për të përgatitur njoftimin e apelit.
Trupi Gjykues i Apelit e ka konsideruar të përshtatshme ta udhëzojë Zyrën e Regjistrimit që, brenda 10 ditësh nga marrja e vendimit për shtyrjen e afatit, të raportojë lidhur me përkthimin e Aktgjykimit të Gjykimit në gjuhën shqipe dhe të paraqesë datat e pritshme se kur përkthimi paraprak, i pa rishikuar, dhe përkthimi zyrtar përfundimtar i Aktgjykimit të Gjykimit do të jenë në dispozicion.
Apeli ka theksuar po ashtu se dënimi i krerëve të UÇK-së nga Trupi Gjykues i Shkallës së Parë përfshin një numër të madh vendngjarjesh të krimeve dhe incidentesh të kryera në territorin e 16 komunave, në gjashtë zona operative të UÇK-së në Kosovë, si dhe në pjesë të caktuara të Shqipërisë së Veriut, ndërmjet të paktën prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999.
“Trupi Gjykues gjithashtu vëren gjatësinë e Aktgjykimit të Gjykimit, përkatësisht 2,089 faqe – aktgjykimi më i gjatë i nxjerrë ndonjëherë nga Dhomat e Specializuara – si dhe kompleksitetin e konsiderueshëm të kësaj çështjeje, që rrjedh, ndër të tjera, nga shtrirja e Aktakuzës dhe rolet udhëheqëse të të Akuzuarit të pretenduara në Aktakuzë”, shkruan Apeli.
Ajo që vërehet nga ky vendim janë edhe fazat nëpër të cilat do të kalojë aktgjykimi para se të jetë i qasshëm për publikun.
Në Kosovë ka pasur kritika të mëdha për mënyrën e shpalljes së aktgjykimit, duke e konsideruar atë si të bazuar në përshtypje dhe në mungesë të prezantimit të fakteve.
“Përveç kësaj, Trupi Gjykues vëren se Trupi Gjykues i Shkallës së Parë gjithashtu urdhëroi ZPS-në që deri më 7 tetor 2026 të shpërndajë një version të propozuar të redaktuar të Aktgjykimit të Gjykimit dhe Palët dhe Pjesëmarrësit që të zhvillojnë diskutime lidhur me redaktimet e propozuara deri më 19 tetor 2026”, thuhet në vendim.


